



Vendosa ta lexoj fjalën time modeste sepse këtij brezi i përkas – që beson te gazetaria si arsye që e përmirëson Shqipërinë tonë dhe demokracinë e saj. Do ta kem të vështirë ta besoj kur gazetaria të kthehet në pasojën e kërkimeve që do të bëjë inteligjenca artificiale, por zhvillimi përparon dhe duhet të përshtatemi edhe ne.
Këtë fjalë sonte ia dedikoj dy njerëzve. Të parës, nënës time, që do të ishte e lumtur të ishte sot këtu, sepse ajo është kritikja dhe vlerësuesja ime më e sinqertë, por për shkak të gjendjes së saj është e pamundur. Së dyti, ia dedikoj vajzës sime, që dua ta inkurajoj të besojë te forca misterioze që Zoti u ka dhënë vajzave e grave, të besojë se frika mundet dhe të dëgjojë sot për herë të parë se ajo ka qenë forca ime e brendshme që më ka shtyrë çdo ditë të shkoj në punë me besimin se, duke bërë unë punën time mirë, do të ndihmoj që edhe vendi i saj dhe atdheu ynë të bëhet më i mirë.
Unë punoj si reportere me kohë të plotë që prej fillimit të vitit 1998, ndërsa përpjekjet për të shkruar e për të qenë pjesë e medias datojnë më herët, edhe pse në mënyrë modeste, rreth mesit të vitit 1996. Unë nisa provën si reportere në një nga tre televizionet e para private që u hapën në Shqipëri në vitin 1998, quhej Alba Televizion, me seli te Piramida e Tiranës, dhe që prej asaj dite nuk jam ndarë më nga profesioni i gazetares së terrenit, ku më së shumti më njohin, pastaj si moderatore lajmesh, si autore dhe bashkautore dokumentarësh dhe gjatë dy viteve të fundit edhe si drejtuese e programeve televizive. Profesioni që bëj ka shënjuar jetën time, ka përcaktuar zgjedhjet që bëra në jetë, më bëri më të fortë, më mësoi të jetoj me integritet dhe të zgjedh anën e publikut, sepse nuk mund të flas për të drejtën, pasi siç thotë Eskili, e drejta është shëtitëse.
Çfarë do të thotë të jesh gazetare grua në Shqipëri? Do të thotë të jetosh në një redaksi lajmesh që është ambienti më konkurrues që mund të gjeni. Do të thotë të punosh shumë orë në ditë dhe të mos mbyllësh as muajin, sepse të ardhurat janë të ulëta. Do të thotë të mendohesh mirë kur të bëhesh nënë, sepse mund të mos përfitosh nga leja e lindjes për shkak të pagesës së pamjaftueshme të sigurimeve; mund të mbetesh si unë me një fëmijë, ose duhet të sigurohesh që kur fëmija të lindë, të kthehesh sa më shpejt në punë, pasi vendi në redaksi mund të mos jetë shumë gjatë i lirë.
Në 28 vite shumë vajza e gra kanë hyrë apo dalë nga media, disa kanë rezistuar, disa jo, disa kanë hyrë në politikë, disa kanë zgjedhur profesione të tjera rrugës, shumë kanë emigruar, sepse Shqipëria është një vend i vështirë për gratë, sidomos në media, në këtë botën tonë të dominuar nga burrat.
Kur unë nisa të punoja si reportere, Shqipëria nuk ishte kjo që shohim sot dhe ngjarjet shpesh dramatike që ka kaluar vendi e kanë ndryshuar edhe median, edhe perceptimin e publikut për gazetarët.
Tre dekada më parë, media televizive që e njoh mirë punonte në kushte të tjera teknologjike; na mungonte infrastruktura për të punuar, por mund të them me siguri se asokohe, edhe pse ishim pa celularë e pa kompjutera personalë, raportonim më shumë lajme, flisnim më shumë për njerëzit e këtij vendi dhe u drejtonim politikanëve pa dallim më shumë pyetje, duke kërkuar më shumë llogari. Dua t’ju tregoj se unë dhe kolegët e mi mbanim shënim nëpër blloqe, pra shkruanim për çdo gjë. Këtë gjë nuk e shoh më sot te reporterët dhe gazetarët në terren.
Kam punuar në televizione kombëtare dhe, për fatin tim të mirë, kjo gjë ka qenë ndihmuese, sepse një media televizive kombëtare kërkonte më shumë përgjegjësi.
Një media kombëtare tërheq gjithmonë më shumë audiencë, dhe për mua këtu niste mësimi numër 1: të jem e përgjegjshme dhe të qëndroj mes publikut dhe politikës, duke bërë gjithmonë kujdes që të mos e kaloj fillin e hollë që ndan gazetarin nga qytetari.
E kthej gjithmonë kokën pas dhe pyes veten nëse do ta kisha zgjedhur edhe një herë gazetarinë. Sot, duke qenë se jam dëshmitare, mbase ndër të paktat që ende janë me mikrofon në terren që prej vitit 1998, do të thoja se jam e dyzuar. Sepse ka disa pyetje që kërkojnë përgjigje.
Çfarë ndodh me gazetaret gra sot në Shqipëri?
A kemi një numër të saktë të vajzave dhe grave që punojnë në tregun mediatik, jo thjesht si gazetare, por edhe si punonjëse të industrisë së medias?
A janë ato të mbrojtura kur, për shkak të vështirësive të profesionit, përballen edhe me probleme sociale, familjare dhe shëndetësore?
A kanë sot gratë dhe vajzat në Shqipëri mundësi trajnimi që të rrisin kapacitetet profesionale, që janë një e mirë për shoqërinë, sepse një gazetar i mirë është një dritë më shumë për të ndriçuar skutat e errëta të pushteteve?
Si paguhen dhe sa paguhen sot gazetaret dhe punonjëset tona në media?
Çfarë ndodh me sigurimet e tyre shoqërore?
Kush e pengon karrierën sipas meritokracisë?
Çfarë do të ndodhë tani që teknologjia po e lë pas industrinë e medias dhe gati-gati më duket si kriza e shtypit të shkruar në Shqipërinë e mesit të viteve 2000, kur nisi të lulëzojë media elektronike?
Pse nuk kemi gazetare që ta ushtrojnë në liri detyrën e tyre, pa qenë nevoja të atashohen pranë një redaksie?
Çfarë ndodh me nënat gazetare që janë edhe kryefamiljare?
Sot, përveç Radio Televizionit Shqiptar ku punoj, asnjë media tjetër nuk i përmend parimet editoriale që do të rregullonin më së miri transparencën e medias dhe do të rrisnin besueshmërinë e saj në publik.
Jam e bindur se shumë këtu në sallë do të shtonin të tjera pyetje, por unë solla disa prej tyre në fjalën time, sepse këto pyetje janë edhe përgjigjja e asaj çfarë ka ndodhur me gratë në media gjatë tranzicionit të Shqipërisë.
Megjithatë, sot u them vajzave të reja që, si unë dikur, mund të hyjnë të ndrojtura, por me kurajo në botën tonë sharmante së jashtmi, se nëse duan të bëhen gazetare, të mos e ngatërrojnë këtë aspiratë me famën. Shqipëria ka nevojë për gazetarë të mirë që të ndihmojnë me punën e tyre përmirësimin e profesionit dhe mbylljen e tranzicionit të stërzgjatur të vendit. Unë çdo ditë jam përpjekur të vetëpërmirësohem duke dëgjuar me durim ata që kam pasur drejtues, dhe fati e deshi që kam pasur drejtues profesionistë në kaq shumë vite punë.
Së fundmi, dua t’ju them se episodet e punës time janë të shumta; nuk do të ishte e udhës të flisja për to, por dua t’ju siguroj se rruga ime ka qenë shumë e vështirë deri këtu ku jam sot, duke folur para jush dhe duke falënderuar organizatorët që më zgjodhën në këtë podium. Unë nuk kam shkruar libër, mbase e bëj në pjesën tjetër të jetës, mbase jo. Por libri im i vërtetë janë mijëra kronika e raportime live që janë në arkivat e Klan TV, Top Channel, Radio Televizionit Shqiptar. Më vjen keq që nga TVA, Norba dhe Alba TV kanë mbetur vetëm fotot.
Mund të them se edhe në ditët më të vështira, kur mbijetesa nëpër redaksi ka qenë në kufijtë e absurdit, u përpoqa të mos dorëzohesha duke menduar se adrenalina që të jep gazetaria është e jashtëzakonshme. Është privilegj të raportosh për lajmet, është privilegj të drejtosh një redaksi apo program televiziv, por në këto 3 dekada kam kuptuar se privilegji më i madh që kam marrë ka qenë se, kur publiku më ndjek në ekran, kur unë raportoj live apo kur drejtoj një emision, e di që unë nuk manipuloj dhe ka besim te unë. Kam ndërtuar një profil të besueshëm dhe ky është për mua shpërblimi që më ka dhënë gazetaria; të tjerat janë histori për arkiv.
