Skip to content Skip to footer

Gjuha e urrejtjes në media shqiptare mbetet shqetësuese

Raporti i ri: Gjuha e urrejtjes në media shqiptare mbetet shqetësuese

Sot u zhvillua tryeza e rrumbullakët që mblodhi bashkë rreth 50 përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile për të diskutuar gjetjet e fundit të “Raportit monitorues të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminuese në Shqipëri” për periudhën janar 2024 – qershor 2025, monitorim i kryer nga Albanian Woman in Audiovisual (AWA).

Monitorimi u zhvillua në kuadër të projektit Reporting Diversity Network (RDN) ku AWA është partner prej vitit 2022, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe Smart Balkans, që ka si qëllim përforcimin e standardeve etike dhe përgjegjësisë shoqërore në media.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë një situatë shqetësuese gjuhës së urrejtjes dhe asaj diskriminuese në mjedisin mediatik në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e incidenteve (40.6%) targetojnë vajzat dhe gratë, gjetje e cila nuk është e re pasi edhe këtë vit njejtë si vitet e mëhershme, vajzat dhe gratë mbeten më të targetuarat.

“Diskursi i urrejtjes dhe diskriminimit me bazë gjinore shfaqen përmes sensacionalizmit, objektifikimit dhe retorikës seksiste, të cilat prodhohen ose amplifikohen nga media”, – shkruhet në raport, ku theksohet se media vendos prioritet argëtimin krahas ndjeshmërisë, në shkelje rë Kodit të Etikës së Gazetarëve.

Ndryshe nga vitet e mëhershme, dy kategori të reja të shenjëstruara kanë dalë në pah: shënjestra ndaj gazetarëve (12.5%) dhe kundërshtaravë politikë (12.5%). Narrativa të tjera të gjuhës së urrejtjes përfshijnë pakicat seksuale (7.3%), etninë (5.5%), institucionet publike (3.7%) dhe fëmijët/minorët (3.7%).

“Rritjen më të lartë, pra me 7%, e ka kategoria e gazetarëve”, tha Doruntina Hysa, autorja e raportit. Ajo thekson se ky target është i qëllimshëm. “Kjo tregon sa e rëndësishme është gazetaria investigative”, tha Hysa, duke shtuar se presioni ndaj punës së gazetarëve është indicator se duhet rritur siguria për ata.

Raporti thekson se zgjedhjet parlamentare të mbajtura në maj të këtij viti, janë stimuli kryesor i kësaj vale urrejtjeje ndaj gazetarëve.

Jorida Tabaku nga Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, duke iu referuar gjetjeve që targetojnë vajzat dhe gratë në hapësirën mediatike online, përfshirë dhe oponentët politikë, janë të qëllimshme. “Ajo që ne shohim është vetëm maja e ajsbergut”, shtoi Tabaku, duke treguar se gjuha e urrejtjes është mjet për t’u larguar nga përgjegjësitë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, shtoi se gjuha e urrejtjes ecën paralelisht me dezinformimin. “Gazetarët janë të targetuar qëllimisht dhe përdoret si mënyrë për t’ i dobësuar në punën e tyre”, u shpreh Gajda.

Gazetaret më përvojë si Esiona Konomi ndanë raste personale ku ato kanë rënë viktima të gjuhës së urrejtjes, ndërkohë që ngriti problemin e ndjekjes së rasteve, duke marrë parasysh se shpesh ndjekja e rasteve përkthehet në amplifikim të dhunës.

Lorin Kadiu nga Citizens.al theksoi se është e rëndësishme që të ketë një reflektim të përbashkët mbi instrumentalizimin e dhunës. “Sulmet janë shpesh të motivuara”, shtoi Kadiu. “Ndaj, nuk duhet të kthejmë gishtin nga gazetarët, pasi urrejtja vjen nga lart”, përfundoi ai.

Në këtë diskutim u ngrit dhe shqetësimi i mungesës së mbulimit mediatik të problemeve që komuniteti rom dhe egjiptian has në Shqipëri. “Romët dhe egjiptianët janë të përjashtuar”, pohoi Brejdon Xhevarra nga Community Reporters Albania. “Bashkitë kanë buxhete dhe ka shumë fusha ku gazetarët mund të mbështeten për të raportuar”, citoi Xhevarra.

Blerjana Bino nga Safe Journalists shpjegoi se gjuha e urrejtjes online shumëfishohet nga pabarazitë shoqërore, ku qytetarët e gjejnë veten të zhgënjyer. “Gjuha e urrejtjes nuk është rastësi dhe me lehtësimin e aksesit, qytetarët gjejnë hapësirë të shfryjnë frustimin e tyre”, përfundoi Bino.