Skip to content Skip to footer

Gjetjet kryesore nga pyetësori mbi pozitën dhe nevojat e grave në sektorin mediatik dhe audiovizual në Shqipëri

Gjetjet kryesore nga pyetësori mbi pozitën dhe nevojat e grave në sektorin mediatik dhe audiovizual në Shqipëri

Albanian Woman in Audiovisual 

Rrjeti i Grave në Media – Shqipëri (Network of Women in Media-Albania) u themelua në shtator të vitit 2024, një iniciativë kjo e përbashkët e organizatave si Albanian Woman in Audiovisual, Lajmëtarja dhe Sci-Dev. Ky rrjet synon të fuqizojë dhe të promovojë rolin e grave në median audiovizive shqiptare, duke sjellë së bashku gazetare, redaktore, producente, regjisore dhe profesioniste të tjera të medias. Përmes krijimit të një platforme bashkëpunimi dhe veprimi kolektiv, NWM-A ka për qëllim avancimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e kushteve të punës brenda sektorit mediatik.

Duke u fokusuar në çështje si ndjeshmëria gjinore në raportim, zhvillimi i lidershipit, mentorimi dhe mirëqenia profesionale, NWM-A synon të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme në transformimin e strukturave dhe narrativave mediatike. Rrjeti shërben gjithashtu si një hapësirë për shkëmbim njohurish dhe advokim, me vizionin për një industri mediatike më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, veçanërisht ndaj grave.

Aktualisht, NWM-A numëron rreth 155 anëtare me profile të ndryshme profesionale, që përfaqësojnë si median tradicionale ashtu edhe atë digjitale, si dhe sektorin e gjerë audiovizual. Së fundmi, në kuadër të projektit Breaking the Moulds, Shaping the Future, i cili zbatohet nga Albanian Woman in Audiovisual, në partneritet me SCiDEV dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, është ndërmarrë një iniciativë kërkimore për të kuptuar më në thellësi sfidat, nevojat, shqetësimet dhe barrierat me të cilat përballen gratë profesioniste të medias dhe audiovizualit. 

Për këtë arsye, nga mesi i muajit maj e deri në mes të qershorit 2025, AWA zhvilloi një pyetësor me anëtaret e NWM-A, me synimin për të mbledhur të dhëna të drejtpërdrejta rreth përvojave të grave dhe vajzave në kontekstin personal dhe profesional. Të dhënat e mbledhura dëshmojnë për një situatë komplekse, e cila, në shumë aspekte, mbetet ende sfiduese për gratë në industrinë mediatike shqiptare.

Pyetësori u hartua me kujdes të veçantë metodologjik dhe u shpërnda gjerësisht në disa qarqe të vendit, duke siguruar një shtrirje të konsiderueshme gjeografike. Rreth 75.5% e pjesëmarrëseve vinin nga Tirana, ndërsa pjesa tjetër përfaqësonte qytete të tjera si Durrësi, Gjirokastra, Pogradeci, Shkodra, Korça dhe Elbasani.

Sa i përket përbërjes profesionale të grave dhe vajzave që iu përgjigjën pyetësorit, 42.9% ishin gazetare, 12.2% redaktore, ndërsa 4.1% producente dhe 4.1% freelance. Pjesa tjetër përfshinte një gamë të gjerë rolesh të tjera në median dhe sektorin audiovizual, si operatore kamere, montazhiere, drejtues programi, specialiste komunikimi, regjisore teatri, botuese, këshilltare në fushën e medias, si dhe pedagoge të komunikimit.

Përtej profilit profesional dhe shpërndarjes demografike, pjesëmarrëset e këtij studimi ndanë gjithashtu përvojat e tyre në lidhje me sfidat personale dhe sociale që ndikojnë në ecurinë e tyre  profesionale. Një aspekt i rëndësishëm që u trajtua përmes pyetësorit ishte balancimi i punës me jetën e përditshme (personale) – një dimension thelbësor për mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm profesional të grave.

Në këtë kontekst, 24.5% e vajzave dhe grave anëtare të rrjetit kanë përmendur presionin profesional si pengesën kryesore në ruajtjen e këtij ekuilibri. 22.4% kanë theksuar mungesën e fleksibilitetit në oraret e punës, ndërsa 12.2% raportojnë orat e zgjatura të punës si burim vështirësie. Po ashtu, 10.2% ndeshen me sfida që lidhen me përkujdesjen për familjen, gjë që ndikon ndjeshëm në aftësinë për të menaxhuar jetën personale dhe atë profesionale. Një përqindje më e vogël, 6.1%, ka nënvizuar faktorë si stresi i vazhdueshëm, pasiguria e kontratës së punës dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore si elementë që e bëjnë këtë balancim edhe më të vështirë. Këto të dhëna nxjerrin në pah një sërë faktorësh të ndërthurur që ndikojnë drejtpërdrejt në përfshirjen dhe qëndrueshmërinë e grave në industrinë e medias dhe atë audiovizuale. 

Në përgjigje të pyetjes mbi fushat në të cilat gratë dhe vajzat ndiejnë nevojë për zhvillim profesional, 34.7% e pjesëmarrëseve kanë theksuar se dëshirojnë të përfitojnë më shumë njohuri rreth menaxhimit të projekteve. 22.4% kanë shprehur interes për të thelluar njohuritë mbi inteligjencën artificiale, si një fushë në rritje që ndikon gjithnjë e më shumë në praktikat mediatike. Ndërkohë, 15.5% kanë identifikuar nevojën për zhvillim aftësish/shkathtësish në fushën e prodhimit audioviziv, dhe 14.3% kërkojnë të përmirësojnë aftësitë digjitale dhe multimediale. Një përqindje më e vogël, 4.1%, kanë theksuar rëndësinë e sigurisë dhe mbrojtjes gjatë raportimit, si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin profesional të qëndrueshëm. Pjesa tjetër e pjesëmarrëseve ka përmendur nevoja nga fusha të ndryshme si teknikat e intervistimit, shkrimi dhe redaktimi profesional, si dhe menaxhimi i projekteve mediatike.

Në pyetjen që kishte për qëllim të evidentonte sfidat kryesore që ato përjetojnë si gra dhe njëkohësisht si profesioniste në fushën e medias dhe audiovizualit, në kuadër të zhvillimit të tyre professional, 34.7% e pjesëmarrëseve kanë përmendur mungesën e fondeve si barrierën më të madhe. 18.4% e të anketuarave kanë theksuar mungesën e mbështetjes institucionale, ndërsa 16.3% kanë nënvizuar si sfidë kryesore kushtet e punës. Po aq, 16.3%, kanë raportuar vështirësi në balancimin e jetës profesionale me përgjegjësitë familjare. Ndërkohë, 8.2% e pjesëmarrëseve kanë identifikuar mungesën e trajnimeve cilësore si pengesë për avancimin profesional, ndërsa pjesa tjetër ka përmendur raste të diskriminimit gjinor, si një faktor që ndikon negativisht në mundësitë për zhvillim dhe përfaqësim të barabartë në këtë sektor.

Sa i përket vlerësimit të kushteve të punës, 35% e pjesëmarrëseve në sondazh raportuan përvoja pozitive, duke theksuar ndjesinë e sigurisë në vendin e punës si rezultat i ndërhyrjeve të drejtuesve (të mediave ku punojnë) në situata potencialisht të rrezikshme; pranisë së kontratave të rregullta të punës dhe respektit të ndërsjellë mes kolegëve. Ato gjithashtu evidentuan përputhshmërinë e kushteve të punës me standardet e përcaktuara në Kodin e Punës, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç për mirëqenien dhe qëndrueshmërinë profesionale.

Ndërkohë, një pjesë tjetër e konsiderueshme e grave dhe vajzave që veprojnë si profesioniste të pavarura (freelance) e lidhin ndjenjën e sigurisë dhe kontrollit profesional me autonominë që kjo formë e angazhimit u ofron. Ato theksuan se puna e pavarur redukton rreziqet e shantazhit apo abuzimit nga të tretët, duke u krijuar mundësinë të zgjedhin me kujdes projektet dhe bashkëpunëtorët me të cilët angazhohen. Kjo përzgjedhje e vetëdijshme përbën për to një mekanizëm mbrojtës dhe një mjet për ruajtjen e integritetit profesional në një mjedis që shpesh është i pasigurt për gratë.

Një përqindje domethënëse e pjesëmarrëseve në këtë studim, 55% – raportuan se ndihen të pasigurta në vendin e punës, duke artikuluar një sërë shqetësimesh të ndërlidhura me natyrën e marrëdhënies së tyre kontraktuale dhe kushtet e punës në përgjithësi. Pasiguria buron jo vetëm nga mungesa e kontratave të formalizuara të punës, por edhe nga mosrespektimi i dispozitave kontraktuale, edhe në rastet kur kontratat ekzistojnë dhe janë nënshkruar nga të dyja palët. Shumë nga këto kontrata kanë karakter afatshkurtër, gjashtëmujor ose njëvjeçar, duke i ekspozuar punonjëset ndaj një cikli të vazhdueshëm të pasigurisë dhe mungesës së stabilitetit financiar dhe profesional.

Pjesëmarrëset përmendin gjithashtu vonesa sistematike në pagesa, angazhim të detyruar gjatë fundjavave pa kompensim, si dhe një mungesë të theksuar të mekanizmave mbrojtës, të cilët do të duhej të garantonin standarde bazë të punësimit. Gratë që punojnë në terren veçanërisht theksojnë përballjen me presione, kërcënime, dhe rrezik fizik, veçanërisht kur raportojnë mbi tema të ndjeshme si dhuna seksuale apo çështje të tjera sociale.

Për gratë në media, kjo situatë thellohet më tej nga ndryshimet e shpeshta në strukturat drejtuese të mediave, si dhe nga qasje diskriminuese apo nënvlerësuese nga ana e drejtuesve ndaj gazetareve dhe profesionisteve të tjera të fushës.

Tutje, në përpjekje për të ndërtuar një kuptim më të plotë mbi përvojat e tyre profesionale, pjesëmarrëset u pyetën në mënyrë specifike mbi sfidat me të cilat ato janë përballur në vendin e punës. 36.7% e grave dhe vajzave identifikuan pabarazinë në pagesa si sfidën më të theksuar, duke nënvizuar se për punë të njëjtë apo të ngjashme, shpesh paguhen më pak sesa kolegët e tyre meshkuj. Ndërkohë, 32.7% theksuan vështirësitë në avancimin apo zhvillimin profesional, përfshirë mungesën e mundësive për ngritje në pozita drejtuese ose qasje në trajnime dhe mentorim.

Një tjetër grup, 10.2%, raportoi përjashtimin nga proceset vendimmarrëse si pengesë për kontributin e tyre profesional dhe rritjen e ndikimit në vendet e punës. 6.1% e pjesëmarrëseve kanë përmendur diskriminimin gjinor të drejtpërdrejtë, ndërsa 4.1% kanë raportuar ngacmim seksual në vendin e punës – një fenomen që jo vetëm cenon dinjitetin profesional, por ndikon edhe në mirëqenien emocionale dhe pjesëmarrjen aktive në fushën mediatike.

Një numër më i vogël pjesëmarrësesh ka ndarë sfida të tjera të lidhura me pozicionin e tyre si themeluese të mediave, përfshirë mungesën e mbështetjes financiare dhe institucionale, vështirësitë në ndërtimin e ekipeve të qëndrueshme, si dhe pengesat që burojnë nga stereotipet gjinore në menaxhim dhe lidership.

Në vijim të pyetësorit, pjesëmarrëset u ftuan të identifikojnë objektivat e tyre profesionale afatshkurtra, të cilat hedhin dritë mbi aspiratat individuale dhe kolektive në përputhje me sfidat që ato përjetojnë. Gjetjet dëshmojnë një spektër të gjerë synimesh, ku pasqyrohen jo vetëm ambiciet për avancim në fushën e medias, por edhe përpjekjet për të ruajtur balancën mes jetës personale dhe profesionale, për të fituar pavarësi ekonomike dhe për të ndërtuar forma të reja të organizimit dhe ndikimit.

Një pjesë e konsiderueshme e objektivave lidhen me angazhimin e qëndrueshëm në sektorin mediatik, si: punësimi në media me kohë të reduktuar dhe orar fleksibël, punësimi me të ardhura që mbulojnë nevojat bazë apo kapërcimi në gazetari me kohë të plotë. Objektiva të tjerë lidhen me avancimin profesional, përmes zhvillimit të platformave të reja online, hapjes së mediave ose organizatave të pavarura, ose ndërtimit të një karriere ndërkombëtare në fushën e medias.

Po ashtu, shumë pjesëmarrëse artikuluan objektiva që kanë të bëjnë me cilësinë e gazetarisë, zhvillimin teknik dhe etik profesional, siç janë: ndërtimi i njohurive në fushën e inteligjencës artificiale (AI), përditësimi me zhvillimet më të fundit në teknologji, përshtatja e stilit të raportimit me audiencat e reja, si dhe ruajtja e integritetit profesional në raportimin e fakteve. Disa synojnë të zhvillojnë produkte mediatike origjinale, si dokumentarë ose kanale të specializuara në YouTube që frymëzojnë dhe informojnë publikun.

Në tërësi, objektivat e artikuluara pasqyrojnë një përpjekje për të kapërcyer modelet tradicionale të punës në media, duke synuar krijimin e një mjedisi më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm profesionalisht, si në nivel individual ashtu edhe kolektiv.

Për realizimin e objektivave profesionale afatshkurtra të identifikuara, pjesëmarrëset kanë evidentuar një grup nevojash që përceptohen si urgjente dhe thelbësore për avancimin e tyre në fushën e medias dhe sektorin audiovisual. Këto nevoja janë kategorizuar në pesë dimensione kryesore:

  1. Trajnimi dhe zhvillimi profesional
  2. Mbështetja institucionale dhe financiare
  3. Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi profesional
  4. Përmirësimi i kushteve të punës dhe garantimi i sigurisë
  5. Mbrojtja ligjore dhe zbatueshmëria e legjislacionit.

Në fund, të pyetura mbi format më të nevojshme të mbështetjes për të përparuar në karrierën profesionale, gratë dhe vajzat pjesëmarrëse nga NWM identifikuan disa elemente thelbësore. Trajnimet e specializuara rezultuan ndër nevojat më të theksuara, të përmendura nga 40.8% e grave dhe vajzave të përfshira në studim. Po aq (40.8%) vlerësuan rëndësinë e rrjetëzimit profesional si faktor lehtësues për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës. Mbështetja psikologjike u konsiderua e rëndësishme nga 10.2% e tyre, ndërsa 8.2% theksuan nevojën për mbështetje juridike, veçanërisht në përballjen me sfida strukturore dhe personale në vendin e punës.