Raporti i Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes 2023

7 Maj, 2024by admin

Tiranë, 21 Mars 2024– AWA në bashkëpunim me Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Advokojmë për një portretizim më të mirë të grave dhe vajzave në media”.

Portretizimi aktual i tyre në media është shqetësues, pasi siç tregojnë të dhënat nga Raporti i Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes 2023, narrativat ndaj grave janë shumë agresive dhe diskriminuese.

Një nga autoret e studimit Fjolla Spanca nga AWA tha se gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë objektivi kryesor i diskursit të urrejtjes dhe diskriminimit në vendin tonë, me një përshkallëzim alarmues sidomos në raste të raportimit të dhunës.

Ekspertja ligjore, Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani, shqyrtoi ndryshimet legjislative të Kodit të Transmetimit, që u miratuan në vitin 2023, të cilat për herë të parë adresojnë seksizmin në media përmes një akti juridik të mirëfilltë. Nëpërmjet shembujve konkretë, Znj. Çani theksoi se megjithë ndryshimet ligjore pozitive në këtë drejtim, mbetet edhe shumë punë për të bërë pasi ndihet nevoja e kuptimit më të mirë të konceptit të seksizmit në media, identifikimit dhe raportimit të rasteve të shkeljeve nga ana e OMSHA-ve, takime periodike dhe mbledhje me tematikë të dedikuar mes tyre, AMA-s dhe aktorëve kyç që kontribuojnë në këtë drejtim.

E pranishme në takim ishte edhe Raportuesja e Përgjithshme Kundër Dhunës ndaj Grave në Këshillin e Europës, deputetja Etilda Gjonaj, e cila theksoi se ende përballemi me vështirësi sa i përket përcaktimit dhe dallimit të dhunës. Dy prej formave të dhunës jashtëzakonisht shqetësuese dhe që nuk kanë mbulueshmëri, sipas saj, janë dhuna psikologjike dhe ajo digjitale.

Nga ana tjetër, bashkëautorja e Raportit, ekspertja e medias dhe çështjeve gjinore, Valbona Sulçe, u ndal tek boshllëqet ligjore dhe të politikave, që krijojnë hapësira abuzimi dhe bëhen pengesë për raportim apo ndjekje të mëtejshme të rasteve shqetësuese, duke ofruar edhe rekomandime për plotësimin e tyre nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve, shoqërisë civile dhe akademisë.

Takimi ngjalli diskutime produktive mes pjesëmarrësve, të cilat u shoqëruan edhe me rekomandime specifike përkatëse, që do të reflektohen në një përmbledhje politikash, me qëllim për t’u përdorur më tej për të advokuar për ndryshimet e domosdoshme që përmirësojnë portretizimin grave dhe vajzave në media.

‎Tryeza u realizua në kuadër të Projektit Reporting Diversity Network 2.0 që në Shqipëri prej vitit 2020 – 2024 është zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, ndërkohë në ciklin e tij të dytë, 2024 – 2028, do të zbatohet nga AWA – Albanian Woman in Audiovisual.

KLKO KETU PER TE PARE RAPORTIN